Perse barktiset Shqiperia

Shko poshtë

Perse barktiset Shqiperia

Mesazh nga engjell a djall prej Sun 26 Apr 2009 - 6:24

Nisma e përfolur shpesh por së fundmi e promovuar
bindshëm prej G99, për të pajisur emigrantët me
mundësinë për të votuar, çon në
qendër të vëmendjes një çështje
shumë delikate e problematike që ka hedhur rrënjë
prej kohësh në Shqipëri por që shumicën e
kohës është e eklipsuar nga rutina politike. Braktisja e
Shqipërisë nga qytetarët e saj. Qeveritë e ndryshme
që kanë ardhur e ikur nga ndërtesa përbri
bulevardit Dëshmorët e Kombit e kanë parë
emigracionin masiv të shqiptarëve si një leverdi të
vazhdueshme dhe jo si një fatkeqësi apo manifestim të
drejtpërdrejtë të dështimit të tyre.
Emigracioni ilegal nuk është luftuar asnjëherë
seriozisht në Shqipëri përveçse në
situatën kur imigracioni u vendos në krye të rendit
të ditës së debateve të brendshme politike të
vendeve anëtare të BE-së të cilat më pas
bënë që BE-ja ta ushtronte presion tek vendet
dërguese për të blinduar kufijtë e tyre. Nga
një anë remitancat e vazhdueshme të emigrantëve
kanë qenë për vite me radhë mbështetja
kryesore e ekonomisë duke mbuluar në një farë
mënyre dështimin ekonomik dhe paaftësinë e qeverive
shqiptare për të shfrytëzuar optimalisht burimet
materiale dhe njerëzore brenda vendit e duke bërë
njerëzit si të vetmin eksport domethënës të
Republikës së Shqipërisë. Nga ana tjetër
emigrantët mund të hamendësohen si individë me
aspirata, pretendime, iniciativë e këmbëngulje duke
patur parasysh se çfarë telashesh heqin për të
udhëtuar (në më të shumtën e rasteve
ilegalisht) gjetur punë e jetuar në vendet pritëse.
Emigracioni si proces ka shërbyer si një valvul sigurese
që ka shfryrë jashtë Shqipërisë një
segment aktiv të shoqërisë shqiptare që nëse
do të ngelej në atdhe do të kishte rritur shumë
numrin e papunësisë e do të kishte shërbyer si
një detonator social pakënaqësie e revoltimi.

Asnjë
qeveri nuk e ka parë çështjen e emigracionit shqiptar
me alarmizëm edhe pse pas Salvadorit ne kemi përmasat më
të larta të emigracionit në botë për
frymë. Faktin që vendlindja nuk është më e
ngrohtë dhe e ëmbël për shqiptarët duhet
të nxiste një ndjesi paniku e përgjegjësie shume
vite më parë. Përflitet se rreth 700 000 shqiptarë
aplikojnë për lotarinë amerikane e 300 000 për
kartat greke, ndërkohë që nuk mund të
numërohen shqiptarët e tjerë që do të donin
të arratiseshin nga vendlindja e që shohin tek futja në
BE, vetëm një trampolinë për t’u larguar nga
vendi pa patur nevojën e vizës. Madje ajo që
është më e turpshmja është se shteti shqiptar
jo vetëm që është i dorëzuar ndaj kësaj
situate, por është edhe “palë në krim”
në një far mënyre. Rasti tipik e qesharak i kësaj
përlyerje është aplikimi për lotarinë
amerikane për kartën e gjelbër (Greencard). Posta
shqiptare e paguar nga taksapaguesit shqiptar, në periudhën e
aplikimeve ofron një sportel enkas dhe shërbimin e
ndihmës në mbushjen sa më të përshtatshme dhe
të personalizuar të formularëve përkatës,
në këmbim të pagesës. Madje edhe kur vijnë
përgjigjet pozitive të aplikantëve të
përzgjedhur, Posta Shqiptare sërish ofron një
shërbim të posaçëm shpërndarje dhe njoftimi
duke vendosur në ambientet e saja shpalljet e emrave të
fituesve e madje duke ua përcjellë këto informacione
edhe shtypit të përditshëm.

Këtu nuk
është thjesht çështje ekonomike e sociale,
problemi është që një numër në rritje e
shtetasve shqiptarë nuk mendojnë se do të bëhet
Shqipëria, nuk shohin me optimizëm të ardhmen e tyre
në vendlindje dhe ç’është më e keqja,
nuk ndihen rehat me identitetin shqiptar. Dhe këtu nuk bëhet
fjalë thjesht për emigrantët shqiptarë në
Greqi që ndryshojnë emër e fe për t’iu
përshtatur sa më mirë ksenofobisë së
këtij vendi, as për faktin që një pjesë
dërrmuese e emigrantëve tanë po e shohin emigracionin si
një zgjidhje permanente e jo më të përkohshme, por
për faktin që një pjesë e mirë e
emigrantëve shqiptarë nuk iu mësojnë
fëmijëve shqip. Kjo gjë nuk ka ndodhur ende me
fëmijët e emigrantëve shqiptarë të ish
Jugosllavisë, por ndodh gjithnjë e më masivisht me
fëmijët e emigrantëve të Republikës së
Shqipërisë.

Kjo arratisje nga identiteti
kombëtar nuk ka të bëjë thjesht me diasporën
por edhe me banorët autoktonë të trojeve etnike
shqiptare. Viktimat e para të asimilimit kanë qenë
shqiptarët ortodoks të ish Jugosllavisë të
cilët brenda pak dekadash pas konferencës së
Londrës janë shndërruar në sllavë të
zellshëm, e sot vështirë se gjen ndonjë të
vetëm në qytete si Manastiri apo Ohri ku dikur gëlonin.
Aq pak frymëzuese është Tirana dhe Shqipëria sa
edhe çamët ortodoksë që i shpëtuan
shkëmbimit të popullsisë me Turqinë të vitit
1923 dhe masakrave të Zervës, nuk denjojnë ta
quajnë veten shqiptarë edhe pse ende flasin rrjedhshëm
shqip. E njëjta gjë mund të thuhet për arvanitasit
e Atikës, Peloponezit dhe ishujve të Egjeut të
cilët aq shumë i përçmojnë shqiptarët
sa nuk duan kurrsesi të kenë lidhje me Shqipërinë e
sotshme. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe me
arbëreshët e Italisë për të cilët të
kesh të bësh me shqiptarët nuk është më
aq e hijshme tani që pas rënies së murit të
Berlinit edhe Shqipërisë i doli nami i keq. Identiteti
kombëtar shqiptar nuk është joshës as për
shumë kinse qytetarë të vjetër të qyteteve
të vjetra si Tetova a Prizreni ku këta parapëlqejnë
ta quajnë veten turq duke folur në fakt osmanishten zyrtare
që ushtronin dikur kur ishin hyzmeqarë të Portës
së Lartë. Po kështu himarjotët e banorët nga
zona përreth edhe pse këndojnë këngë
polifonike preferojnë të flasin greqishten që
përdorej nga detarët e Mesdheut si gjuhë komunikimi
në kohën e Perandorisë Osmane.

Edhe po ta
hedhësh vështrimi diku tjetër në hartën e
trojeve të banuara nga shqiptarët sheh të njëjtin
problem. Të zhgënjyer nga elita politike shqiptare vendase
dhe aspak të tërhequr nga imazhi i Shqipërisë,
shqiptarët e Maqedonisë gjithnjë e më tepër po
jepen pas identitetit fetar duke dorëzuar identitetin
kombëtar. Një proces ky i ndodhur më herët me
shqiptarët e Sanxhakut dhe që është duke u
përfunduar në këto momente edhe në Plavë e
Guci. Tanimë shqiptarët në këtë zonë ku
ka luftuar Ali Pashë Gucia janë minoritet, pasi shumica e ish
shqiptarëve, janë shndërruar në muslimanac apo
boshnjak e madje edhe stërnipat e Jakup Ferrit flasin sot
serbisht. E njëjta prirje mund të vihet re edhe në
brigjet e Bunës ku katolikët e Shtojit gjithnjë e
më dendur marrin e japin me malazezët e kanë filluar
t’i quajnë fëmijët Jovan dhe Pavël në
vend që t’i quajnë Gjon e Pal.
Për të
kuptuar këtë papërgjegjshmëri për imazhin e
Shqipërisë mjafton të shikohet sesi
përfaqësohet republika jonë nga politikanët
tanë të të dyja palëve. Politikanët
opozitarë shqiptarë shkojnë jashtë e vjellin vrer
për kundërshtarin e vetë politikë, sterrosin
realitetin shqiptar jashtë vendit duke dashur të
lënë që të kuptohet prej partnerëve të
huaj, se këta janë pika e kthesës e për
rrjedhojë meritojnë mbështetje ndërkombëtare.
Shpesh këtë taktikë të përbaltjes së
Shqipërisë e përdorin edhe qeveritarët e
papërgjegjshëm shqiptarë të cilët duke mos
patur arritje domethënëse për të cilat të
mburren portretizojnë një realitet të zymtë
shqiptar për të thënë se duke parë sa e
ulët pikënisja ku e morën ata pushtetin ajo që ata
kanë bërë deri tani është shumë. Ose
hiperbolizojnë tërë tërsëllim kriminalitetin
apo korrupsionin vetëm e vetëm për të treguar
që mosrealizimet e tyre kanë të bëjnë me
rrethanat e këqija kushtëzuese ku dergjet e ngrata
Shqipëri e jo me paaftësinë apo mungesën e
vullnetit të qeverisë.

Për këtë arsye
debati i nisur për votat emigrantëve, nuk duhet të
kufizohet vetëm tek një simptomë, por të kapi
problemin, pse janë duke e braktisur shqiptarët
Shqipërinë. Pse ka kaq imazh të keq Shqipëria dhe a
mund të ndryshohet imazhi i vendit tonë e të kthehet
besimi për një të ardhme të lumtur në vendin
tonë? Pse nuk ndihen rehat shqiptarët me emrin shqiptar? Tek
tuk shikohet ndonjë rreze shprese si për shembull ndonjë
deklaratë e guximshme nga ekzekutivi për të drejtat e
shqiptarëve, ndërtimi i rrugës Durrës Morinë
apo difuzioni kulturor shqiptar i çmuar që realizohet
nëpërmjet platformës Digitalb. Megjithatë kjo
është shumë më pak nga ç’pritet prej
Tiranës e cila duhej të shërbente si lokomotivë
zhvillimi, pikë graviteti, parzmore sigurie e simbol krenarie
për të gjithë shqiptarët, kudo që
banojnë. Nëse kjo arrati nga Shqipëria nuk bëhet
një çështje që të shqetësojë
të gjitha palët politike e nëse nuk krijohet një
frymë bashkëpunimi ndërpartiak lidhur me
përmirësimi e imazhit të Shqipërisë dhe
forcimit të identitetit kombëtar situata ka për tu
përshkallëzuar keq. Do kemi gjithnjë e më
shumë qytetarë jo besnik të Shqipërisë,
gjithnjë e më pak interes e përkujdesje për fatet e
vendit, gjithmonë e më shumë shqipfolës,
gjithnjë e më pak shqiptarë . Fjala shqiptar do të
rrezikoj të shndërrohet në një koncept gjeografik
ose term filologjik.

-Nje shkrim qe te ve ne mendime....
avatar
engjell a djall
Hapësira Jonë - Forum
Hapësira Jonë - Forum

<b>Postime</b> Postime : 7372
 <b>Piket</b> Piket : 8226
Regjistruar : 25/04/2009

http://hapesira.forumotions.net/shkrimtare-shqiptare-f48/poezi-n

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi