Vizitë në Mozaikun e Tiranës, aty ku historia e kryeqytetit vegjeton

Shko poshtë

Vizitë në Mozaikun e Tiranës, aty ku historia e kryeqytetit vegjeton

Mesazh nga Geri prej Sun 9 May 2010 - 10:13

Reportazh
Është një ditë e ftohtë Janari. Shiu e ka
mbërthyer Tiranën deri në palcë. Prej disa ditësh nuk pushon dhe ne
ndonëse jo një ditë e përshtatshme për vizita turistike, por një nga ato
ditë kur në Tiranë nuk ke se ç’bën shumë vendosim të vizitojmë Mozaikun
e Tiranës. Ndodhet jo shumë larg qendrës së Tiranës e megjithëkëtë jo
shumë kryeqytetas kanë dëgjuar të flitet për të. Ndonëse Mozaiku mbart
vlera tejet të rëndësishme historike për kryeqytetin shqiptar dhe jo
vetëm, shumëkush nuk di as për ekzistencën e tij në Tiranë. Ndodhemi në
lagjen nr. 9 të Tiranës, në të vetmin monument arkeologjik brenda
territorit të kryeqytetit. Në derën kryesore, sapo bën të hysh brenda
kangjellave që rrethojnë objektin një tabelë e varur në portën kryesore
shkruan: “Këtu gjendet një mozaik i vjetër. Monument kulture, mbrohet
nga shteti.” Në oborrin e objektit një sipërfaqe e madhe është e mbuluar
me mushama për shkak të shiut i cili ende nuk ka pushuar. Mushamaja nuk
lejon të shikosh poshtë saj. Kureshtja nuk na lejon dhe për fatin tonë
të mirë para nesh gjendet menjëherë drejtori i Drejtorisë rajonale të
Kulturës Kombëtare Tiranë, Arbër Kadia i cili na e shuan menjëherë
kureshtjen jo vetëm për pjesën e mbuluar nga mushamaja por për gjithë
objektet që përbëjnë Mozaikun. Arbri, një djalë i gjatë, i ri dhe tepër i
pasionuar pas vlerave të tilla pas prezantimit të tij që nuk zgjat
shumë, nis të na tregojë. “ Mozaiku nuk qëndron gjithnjë kështu, por sot
është i mbuluar për shkak të kohës me reshje. Ky është Mozaiku i
Tiranës, zbuluar në vitin 1972 kur gjatë punës për ndërtimin e pallateve
të bllokut “Partizani” u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri
nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Gjetjet arkeologjike
kanë treguar se kjo banesë i përket një vendbanimi të thjeshtë fshatar
dhe vila fshatare quhet (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një
absidë ishte ambienti kryesor i saj. Mozaiku ka kryesisht motive
gjeometrike dhe florealë dhe vlerat e tij janë të pazëvendësueshme pasi
është vendbanimi më i vjetër i Tiranës. Ndonëse ky monument ka vlera të
mëdha për kryeqytetin tonë më duhet ta pranoj se shumë prej qytetarëve
të Tiranës nuk kanë informacione për të dhe janë të pakët ata që vijnë
dhe e vizitojnë këtë vend” . Pasi Arbri thotë këto fjalë është
lehtësisht e dallueshme keqardhja e tij. Mozaiku i Tiranës është shumë i
rëndësishëm por vlerat e tij shpesh nuk njihen prej kryeqytetasve-
shton Arbri. E ne nisim me të vizitën në këtë monument kulture.
Pak
histori mbi Mozaikun

Në truallin perëndimor të qytetit të
Tiranës, në lagjen nr. 9 të kryeqytetit midis Institutit të Historisë
dhe Institutit të lartë të Fiskulturës, filluan në vitet ’70 gërmimet
arkeologjike, në bazë të disa shenjave të zbuluara rastësisht disa vjet
më parë, të cilat nxorën në dritë themelet e një ndërtese të periudhës
romake. Fillimisht, kur Tirana nuk ekzistonte as si qendër e thjeshtë
banimi, ndërtesa në truallin e lagjes së sotme nr. 9 duhet të ketë qenë
një vila rustica e ndonjë latifondisti romak, pronar i fushës së gjerë e
pjellore të Tiranës ndërtuar në shek. II, ndoshta dhe në shek. I të e.
sonë. Vila duket se ka qenë e pajisur me një sistem ngrohës ose me banja
termale të zakonshme në Romën antike, siç nënkuptohet nga gjetja e disa
hypokaustëve. Pjesë përbërëse të vilës duket se kanë qenë Krojet e
Shëngjinit, disa qindra metra më në perëndim të saj me burime të
pashtershme uji. Por më vonë, me krizën që mbërtheu regjimin
skllavopronar romak, me lirinë që fituan institucionet fetare dhe me
tronditjet e vazhdueshme që pësoi vendi nga dyndjet barbare, vila
rustica u braktis nga pronarët e saj dhe ajo u shndërrua në një faltore
të krishterë, ndoshta kishë, ndoshta manastir. Shndërrimi i saj në
faltore duhet të ketë ndodhur gjatë shek. IV-V, kur u konsolidua rrjeti
administrativ kishtar në provincën e Epirit të –Ri. Gjurmët e saj si
vila rustica pothuajse janë fshirë. Në dritë kanë dalë vetëm elementë të
saj si faltore paleokristiane. Dyshemeja është e shtruar me mozaik me
figura gjeometrike dhe floreale. Element tjetër i kësaj banese janë
muret që ruhen vetëm në anën veriore. Salla qendrore ka dy dyer me anë
të të cilave kalohej në dy ambjente të tjerë, të cilat kanë planimetri
drejtkëndore. Krahu verior i ambienteve është më i ngritur. Në krahun
jugor nuk ruhet asnjë fragment i murit. Këtu përveç disa fragmente
tullash, e tjegullash nuk u zbulua asnjë element tjetër arkitektonik. Po
këtu u zbuluan dhe disa tulla të rrumbullakëta që presupozojnë praninë e
hipokaustëve.
Arbër Kadia: “Mozaiku mbart shumë vlera, duhet
të bëjmë më shumë për të dhe ta njohim të gjithë këtë monument të
kryeqytetit”

“Kohët e fundit është bërë diçka për këtë vend
por ngelet ende shumë për tu bërë. Në Mozaikun e Tiranës ka pasur
ndërhyrje restauruese dhe ide të shumta për ekspozimin e tij por duhet
më shumë punë. Ne i kemi dhënë një tjetër fytyrë Mozaikut me disa
ndryshime që ndonëse të vogla në thelb përbëjnë një hap të madh. Është e
çuditshme se si pak kohë më parë ne vendosëm të hiqnim disa lule që
rrethonin mozaikun në mënyrë që ai të dukej më shumë prej kalimtarëve të
zonës dhe kur hoqëm lulet shumë njerëz u habitën për ekzistencën e
Mozaikut. Kishte shumë banorë që ndonëse jetonin në pallatet fare pranë
objektit nuk dinin asgjë për të dhe kjo është për të ardhur keq”, -thotë
Kadia. Ai shton se Mozaiku kërkon më shumë vëmendje. “Streha që e mbron
Mozaikun është në limitin e jetesës dhe ka nevojë të menjëhershme për
ndërhyrje. Duhet gjetur një mënyrë kontemporane për ekspozimin, pse jo
një strehë transparente.” Sipas tij dëshira e çmendur për të bërë lek e
mafias së ndërtimit ka bërë që të na humbasim vlera të jashtëzakonshme
kulturore të trashëgimisë. “Kriteret e urbanistikës nuk kanë marrë
parasysh të vjetrën. Mozaiku i ka vlerat, detyrë e jona është vetëm ti
promovojmë ato. Jo vetëm Mozaiku por edhe shumë zona të tjera të
Shqipërisë kanë vlera që bëjnë Romën të famshme apo që i bëjnë shtetet e
tjera të krenohen. Ne i kemi vlerat, vetëm duhet të kujdesemi më shumë
për to”,- shton Arbër Kadia.
Projekte
Në muajin
Tetor- Dhjetor 2009, për Mozaikun e Tiranës u zhvillua një projekt i
cili konsistonte në disa ndërhyrje konservuese të cilat u realizuan në
bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Tiranë. Klejdi
Zguro i cili bashkë me Agron Islamin ishin bashkëdrejtues të këtij
programi tregon se projekti pati si qëllim para së gjithash:
dokumentimin e pjesëve të veçanta që paraqiteshin të degraduara,
pastrimin duke futur metoda bashkëkohore apo heqjen e biodegradimit. Në
analizën e motiveve të dyshemesë së mozaikut ata vunë re disa probleme
si: depozitime pluhurash jo të qëndrueshme dhe kjo për shkak të afërsisë
me rrugën dhe lëvizjet e shumta, shkëputje të teserave nga shtrati i
tyre dhe lakunat e pjesshme, çarje e të tjera probleme teknike. Ky është
projekti më i fundit që është vënë në zbatim të Mozaikut ndërsa për
vitin 2010 sipas drejtuesve të DRKKT-së pritet që të studiohet
arkitektura, të ketë gërmime arkeologjike, të përfitohet emri ( gjithë
zona arkeologjike ) apo të promovohet më shumë Mozaiku në mënyrë që
numri i vizitorëve si vendas dhe të huaj të rritet. Në vitin 2009 është
bërë një punë e mirë për këtë pasi DRKKT ka zhvilluar orë të shumta
nëpër shkollat e kryeqytetit për ti njohur të rinjtë me vlerat dhe
historinë e këtij Mozaiku. Përfitimet e këtij projekti kanë qenë të
shpejta pasi vitin e kaluar sipas statistikave të DRKKT-së numri i
vizitorëve është rritur së shumti, nga rreth 150- 200 turistë që janë
numëruar për vit më parë, vetëm vitin që lamë pas Mozaikun e kanë
vizituar të paktën 4000- 4500 turistë. Nga këta pjesa më e madhe të rinj
pas informacioneve të dhëna në shkollat e tyre. Një tjetër projektide e
DRKKT-së kërkon ti japë ndriçim Mozaikut gjatë natës në mënyrë që ai të
mos vizitohet vetëm ditën megjithatë ngelet ende shumë për tu bërë në
drejtim të marketingut të Mozaikut të Tiranës. Pak rëndësi kanë format e
promovimit se sa një reklamim efikas i tij në mënyrë që të gjithë ata
që jetojnë në Tiranë ta njohin Mozaikun dhe jo vetëm, por edhe ta
vizitojnë atë. Pasi vizitojmë ambientet e brendshme të godinës e
përshkojmë mbi kalldrëmet e gurrta të këtij vendi historik për
kryeqytetin shqiptar mbresat janë të shumta.
Fragmente tullash e
tjegullash që e bëjnë vendin më interesant. Ecim nëpër vite. Stelat e
varreve që gjenden para syve tanë na tërheqin vëmendjen. Me ne është
gjithmonë Arbri që na shoqëroi përgjatë gjithë vizitës në ambientet e
Mozaikut të Tiranës. Bie ende shi. Nuk patëm mundësi ta shihnim mirë
mozaikun dhe motivet e tij të shumta gjeometrike pikërisht për shkak të
kohës dhe mushamasë që i kanë hedhur sipër punonjësit për ta mbrojtur
mozaikun prej reshjeve. Mozaikun do ta kishim shijuar më shumë po të
kishin ndodhur dy gjëra të rëndësishme. Të mos kishte rënë shi ose po të
ishte investuar më shumë për të dhe strehën e tij. E para është gjë që
s’varet nga ne por drejtohet nga natyra kurse kjo e dyta mund të kishte
qenë më shumë e realizueshme. Takohemi për herë të fundit me Arbrin dhe
dalim prej aty. Aparati fotografik bën shkrepjet e fundit. Kalimtarët e
rastit kryejnë lëvizjet e tyre të shumta dhe askush nuk denjon ta kthejë
kokën mbi Mozaikun. Të gjithë duhet të bëjmë më shumë: ne që duhet ta
kthejmë sadopak kokën kur kalojmë andej dhe ata që duhet të rrinë
gjithnjë me kokë andej, duke investuar e promovuar.

_________________

Portali ~ Forumi ~ St@ff ~ Rregulloria Forumit

Keni paqartesi... Me kontakto ne PM
avatar
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19697
 <b>Piket</b> Piket : 23781
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 29
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

http://www.facebook.com/profile.php?id=100000780195284#!/pages/M

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi