Detyrat e reja të mësuesit

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Detyrat e reja të mësuesit

Mesazh nga Geri prej Sat 5 Jun 2010 - 11:24

Ndriçim Kulla

Dëshira e reformave edukative në jetën tonë mësimore, nuk mund të sigurohet pa përparimin dhe zhvillimin e personalitetit të mësuesve, në pikëpamjen metodike dhe didaktike. Mësuesi i epokave si kjo e jona, nuk duhet ta shkrijë energjinë dhe kujdesin e tij vetëm brenda mureve të ngushta të shkollës. Lufta e gjithë jetës së sotme shoqërore për edukim, e cila dita-ditës lipset të bëhet më e organizuar dhe më e qendërzuar, i ngarkon mësuesit dhe pedagogut detyra më të rënda, më delikate, por dhe më të shenjta. Mësuesi që nuk i ka kuptuar dhe nuk i ka rrokur që në rrënjë pikat themelore të detyrës së tij shoqërore, nuk mund të bëhet një element i dobishëm, as për reformën e shkollës e as për kombin. Ja, pse në mes të gjithë lëvizjes përparimtare që na paraqet jeta jonë shoqërore, shkencore dhe ekonomike, mësuesi duhet të jetë faktori më i palodhur i reformave. Po nga ana tjetër, pikërisht falë këtij misioni që i cakton koha, mësuesi duhet të jetë në qendër të përkujdesit dhe mirë-trajtimit që duhet të ndjekë ndaj tij politika jonë arsimore. E kjo për faktin se konkretizimi i këtyre ideve të reja pedagogjike, ka për të gjetur përpara një grumbull të tërë punësh praktike, të lidhura ngushtë me një botë të armatosur “reaksionesh”, e – mirë apo keq – edhe me një botë të tërë bindjesh tashmë të kristalizuara.
Por megjithatë, ashtu siç pat shkruar që në fillim të zbatimit të reformës së vet të famshme shkollore, Maria Montessori, njëra nga figurat më të mëdha të pedagogjisë botërore, “problemi i arsimimit të mësuesve është një nga problemet e para të kulturës popullore. Është pikërisht ai problemi shoqëror, nga zgjidhja e të cilit mund të presim fitimin e një qytetërimi më të mire”. Ja, ky duhet të jetë guri filozofal i gjithë reformës sonë shkollore, çka praktikisht përkthehet se për shkollën shqiptare duhet të ketë një dhe vetëm një qëllim: të vihet mbi bazën e një sheshi mendor më të lartë, në mënyrë që të fitojë një nivel që të mos kufizohet vetëm te mësimi, por parësisht tek edukimi, për të zhvilluar e për të vënë kështu në lëvizje, fuqitë më të thella produktive dhe krijuese të nxënësve dhe fëmijëve tanë në përgjithësi. Mirëpo gjithçka e tillë - përtej një qëllimi - është një lëvizje që në thel lyp një strategji, një metodikë dhe një filozofi të re edukimi. Në radhë të parë lyp dashurinë e mësuesve dhe edukatorëve ndaj nxënësve. Së dyti, për të arritur në një edukatë të tillë pedagogjike duhet të kuptohet me çdo kusht se nuk mjafton një punë mekanike, bazuar mbi disa parime të mykura që cakëzohen veç në të mësuarin e fjalës pedagogji. Gjithashtu, nuk mjafton një mësim i thjeshtë e i shpejtë i historisë apo hyrjes së filozofisë, edhe kjo madje vetëm teorike. Lipset pra, përveç një studimi psikologjiko-pedagogjik të thjeshtë, edhe një studim estetik. Lipset më tej një punë metodike shkencore, e cila duhet të jetë në lidhje të ngushtë me sociologjinë e individit shqiptar, e cila duhet të unifikojë qëllimet përfundimtare të edukatës në formën e një kulture të re popullore, harmonike dhe unike. E së fundi, lipset edhe një filozofi e re edukimi. Në këtë sens, mund të themi se edukimi i shkollës sonë duhet të integrohet kah zhvillimit të tërësishëm të të gjithë individëve tanë njerëzorë. E në këtë qëllim sublim, asaj duhet t’i bashkohet, nga njëra anë aktiviteti i të gjithë subjekteve të tjerë kulturë-formues, dhe nga ana tjetër t’i përngjizen në trup tre komponentë kryesorë: 1) Edukimin e mundshëm të të gjithë personit, (të të gjithë pjesëve përbërëse të tij); 2) Edukimin e personit si një i tërë, (jo si një “agregat pjesësh”); 3) Edukimin e personit si pjesë e një të tëre, pra si pjesë e një shoqërie të caktuar, e pse jo dhe e gjithë njerëzimit.
Prej kësaj pikënisje, mund të drejtohemi edhe kah qëllimit final, ku edukimi të mos trajtohet si instrument përgatitës vetëm për një sektor të jetës së njeriut, që ka të bëjë me punën ose me profesionin, por si një instrument i dobishëm e përgatitor i të gjithë jetës në tërësi, madje pse jo, edhe për aspektet më të thella të të jetuarit.
Kësisoj, një rritje e drejtë dhe parimisht e shëndetshme e një fëmije, nuk duhet të qendërzohet vetëm në sigurimin e të rinjve me aftësi, kapacitete e dije të përdorshme praktikisht për vetë-kënaqjen dhe vetë-përmbushjen personale, në mënyrë që t’ia dalin mbanë në jetë në luftën dhe përballjen me strukturat e ekonomisë së tregut dhe kërkesat gjithnjë e më konkurruese të shoqërisë. Kjo pa pikë dyshimi është një domosdoshmëri. Mirëpo, po kaq e nevojshme është edhe “ana tjetër e medaljes” së këtij edukimi një-dimensional. E këtu, pedagogjia botërore ka hapur një debat të madh, sepse sipas saj, po kaq parësor është edhe integrimi i këtij lloj edukimi kryesisht tekniko-profesional me formën e edukimit të përgjithshëm, që parashtron epoka dhe përparimi i modernitetit në ditët e sotme.
“Kultivimi i kapaciteteve thjesht teknike, pa kuptuar se ç’është p.sh. liria në thelb, shpie drejt luftërave dhe shkatërrimit, pra pikërisht drejt asaj çka ndodhi aktualisht në botë”, - ka shkruar që në vitin 1953, Jiddu Krishnamurti, konsideruar një nga mendjet më të mëdha të shekullit XX dhe njëkohësisht një nga mjeshtrit më të mëdhenj të edukimit. “E kjo, sepse të mbushësh mendjen e të rinjve me sa më shumë informacion, për t’i shtrënguar ata të kalojnë me sukses provimet (praktikë kjo mëse e gjithanshme e shkollës sonë), është forma më pak inteligjente e të edukuarit”. Prej këtij arsyetimi rrjedh edhe diviza e tij e përsëritur shpesh, sipas së cilës “qëllimi final i edukimit është kuptimi sa më i drejtë i lirisë, i dashurisë njerëzore dhe i “lulëzimit të mirësisë” si faktorët thelbësorë të transformimit të shoqërisë”. Në këtë këndvështrim, liria duhet të trajtohet më tepër si e brendshme në karakter, sesa si liri politike. Pse, mos vallë nëse i “dominojmë” fëmijët apo nëse i shtrëngojmë t’i përshtaten një shembulli a një modeli, sado elitar apo idealist qoftë ai, ata do të jenë vërtet të lirë? Përkundrazi. Ndaj, nëse do të donim të bënim një “revolucion” të vërtetë në fushën e edukimit, atëherë pikë-fillimi i tij duhet të jetë medoemos liria, çka do të thotë që prindërit dhe mësuesit së bashku, duhet t’u edukojnë fëmijëve parësisht lirinë, e jo t’i ndihmojnë ata të bëhen të këtillë a të atillë. Aq më tepër që kjo nuk është aspak një perspektivë e re e shkollës, pasi ajo lidhet organikisht me teoritë më të shquara të edukimit, parashtruar nga mjeshtrit më të mëdhenj të pedagogjisë botërore në rrjedhën e shekujve, si Russo, Pestalozzi, Fröbel, Dewey, Maria Montessori etj. Kësisoj, funksioni i edukimit është t’i ndihmojë fëmijët jo të imitojnë ndokënd, por veç vetveten. E kjo, pasi liria gjendet në të kuptuarin e asaj çfarë ti je nga momenti në moment. Në këtë sens, të kuptosh jetën do të thotë të kuptosh vetveten, e kjo është njëherësh fillimi dhe fundi i edukimit. Aq më tepër që të zbulosh se çfarë dëshiron të bësh, është gjëja më e vështirë. Andaj kjo lipset të jetë një pjesë e rëndësishme e edukimit të përgjithshëm të fëmijëve, në mënyrë që ky i fundit të jetë vërtet i ndihmuar të përcaktojë çka dëshiron më shumë në jetë - qoftë edhe në fushën profesionale - me gjithë zemër, me gjithë shpirt. Pasi, s’ka shumë rëndësi se çfarë zgjidhet, thelbësore është që njeriu asaj t’i japë zemrën dhe mendjen e vet. Le të citojmë këtu, si dëshmi të historisë së zhvillimit të konceptit të edukimit, fjalët që Krishnamurti 17-vjeçar ka shkruar më 1912: “Nëse uniteti i jetës dhe njëjtësia e qëllimit të saj do të arrihet t’u mësohet nxënësve thellësisht dhe qartësisht, sa të shndritshme do të jenë shpresat njerëzore për të ardhmen! “Ndërkohë që 40 vjet më pas, ai do të theksonte: “Nëse dikush bëhet i ndërgjegjshëm që për njerëzimin, paqja dhe harmonia nuk mund të arrihet vetëm nëpërmjet një edukimi të shëndoshë, atëherë padyshim që ai do t’i kushtojë asaj gjithë jetën dhe gjithë fuqinë e tij intelektuale”.
Ja ç’frymë duhet t’u rrënjosim fëmijëve dhe të rinjve tanë. Ja, kah ç’qëllimi duhet ta nisim strukturën edukuese të shkollës tonë dhe pedagogjinë e saj. Ja, ç’finalitet duhet të ketë puna dhe vepra e faktorëve të shoqërisë që ndikojnë në formimin e brezave të ardhshëm.

_________________

Portali ~ Forumi ~ St@ff ~ Rregulloria Forumit

Keni paqartesi... Me kontakto ne PM
avatar
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19697
 <b>Piket</b> Piket : 23781
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 29
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

http://www.facebook.com/profile.php?id=100000780195284#!/pages/M

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi