Skela dhe Aliaj karikojnë kuqezinjtë: Fiton Shqipëria 2-0!

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Skela dhe Aliaj karikojnë kuqezinjtë: Fiton Shqipëria 2-0!

Mesazh nga Geri prej Mon 3 Jun 2013 - 5:36



De Biazi-KaceErvin Skela parashikon një ndeshje të madhe të Kombëtares dhe fitore të pastër kundër Norvegjisë. “Pres që çunat të japin maksimumin e tyre dhe të shijojnë atmosferën në stadium, pasi për golat mendon ai… Salihi”. Ish-kapiteni i Shqipërisë ka pranuar dje të flasë ekskluzivisht për “Panorama Sport” rreth sfidës së 7 qershorit, ecurisë së Kombëtares, ëndrrës për kualifikim, por jo vetëm. Teksa kthehej nga Berlini, ku dy ditë më parë kishte ndjekur finalen e Kupës së Gjermanisë, Bajern-Shtutgart, ishfantazisti nuk ngurroi të jepte mendimet e tij për situatën në kampin kuqezi. Ai është një nga ata që e njeh mirë ambientin në përfaqësuese dhe këtë herë shfaqet optimist më shumë se kurrë. Edhe për vetë 36- vjeçarin, pavarësisht se nuk do të jetë në fushë, kjo pragndeshje është shumë emocionuese. Për nder të tij dhe ish-kapitenit tjetër kuqezi, Altin Lala, FSHF-ja do të organizojë pak çaste para fillimit të takimit një ceremoni lamtumire nga Kombëtarja. 11 vite si kuqezi nuk janë pak për Skelën, i cili ia dedikojë pjesën më të madhe të karrierës së tij aktivizimit në Gjermani. Në këtë shtet ai aktualisht vazhdon të jetojë, teksa prej dy vitesh është bërë edhe menaxher i FIFA-s. Tashmë, me syrin e një specialisti, ai mundohet në këtë intervistë të mos bëjë “driblimet” e zakonshme, për të cilat shquhej sa herë prekte topin. “Është një moment historik, por nuk duhet të ketë presion mbi lojtarët”, – ka thënë ndër të tjera vlonjati.
Ervin, çfarë prisni nga ndeshja me Norvegjinë. E parashikoni më të lehtë apo më të vështirë, duke iu referuar takimit të parë në Oslo, ku fituam 1-0?
Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë më e vështirë dhe nuk do të ketë asgjë të ngjashme me takimin në Oslo. Në sfidën e parë pamë një Norvegji jo në nivel të lartë. Në Tiranë mendoj se ata do të jenë tjetër skuadër, sepse për ta është shansi i fundit. Duhet të kemi shumë kujdes dhe të jemi jashtëzakonisht të koncentruar gjatë gjithë takimit.
Në këtë përballje Kombëtarja vjen me disa mungesa të rëndësishme. Cilin repart shikoni si më problematik për momentin?
Kjo Kombëtare këtu e ka suksesin, pasi nuk ka probleme repartesh. Jo se nuk ka gabime, por të gjithë janë një grup simpatik, që dinë shumë mirë të plotësojnë njëri-tjetrin. Normal që kemi mungesa dhe janë shumë të rëndësishme, por siç e thashë edhe më lart, këtu qëndron sekreti i kësaj skuadre. Pra, te forca kolektive. Edhe unë jam i bindur se të gjithë çunat që do organizohen dhe do mendojë trajneri t’i hedhë në fushë, do të bëjnë më të mirën në shërbim të ekipit.
A ka një lojtar, nga i cili prisni shumë në këtë takim?
Unë nuk pres shumë. Thjesht pres që çunat të japin maksimumin dhe të shijojnë atmosferën fantastike që do të jetë në stadiumin “Qemal Stafa”. Sa për golin, mendoj se e bën Salihi (qesh).
Shqipëria është në një moment historik, por e kaluara nuk ka folur në favorin tonë, pasi kemi gabuar pikërisht në ndeshjet më decizive. Çfarë këshille do t’i jepnit ekipit që këtë herë të bëjë hapin e madh…?
Është e vërtetë që ky është një moment historik për Kombëtaren tonë, por lojtarët nuk duhet të kenë presion aspak për këtë ndeshje. Është një takim qe ne e luajmë në shtëpi dhe para tifozëve tanë, të cilët janë të mrekullueshëm. Të premten ekipi do të mbështetet nga të gjithë shqiptarët, ata që janë në stadium dhe në çdo cep të botës ku jetojnë. Djemtë duhet të shijojnë këtë moment dhe të japin gjithçka. Unë besoj se do t’i bëjnë të gjithë tifozët të lumtur. Por, duhet të dimë që momenti historik vjen pas ndeshjes, jo përpara.
Çfarë ka më shumë ky grup, në krahasim me atë brez lojtarësh ku ju keni qenë pjesë e Kombëtares prej vitesh?
Ky grup lojtarësh ka lojtarë që dinë të respektojnë njëri-tjetrin. Unë këtu dua të lavdëroj edhe stafin teknik, jo vetëm trajnerin De Biazi, por të gjithë ata që kanë krijuar një grup kaq të bukur dhe që është në harmoni të plotë.
Nëse fitojmë me Norvegjinë, e mendoni një Shqipëri në Botëror?
Nuk duhet të nxitohemi. Edhe pas një rezultati pozitiv, ne sërish duhet të jemi të kujdesshëm. Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, por tani është vetëm Norvegjia, asgjë tjetër.
Ju vetë keni ndonjë parandjenjë për rezultatin përfundimtar?
Unë jam i bindur që çunat do të zhvillojnë një ndeshje të madhe dhe do të fitojnë. Jam disi në siklet, pasi realisht është e vështirë të bësh parashikime. Megjithatë, meqenëse po më pyesni, unë them se rezultati del 2-0 dhe të dy golat i shënon Salihi.
Ju nuk keni qenë pjesë e ekipit në këtë periudhë që drejtohet nga De Biazi. Gjithsesi, a mund të na jepni një përshtypje për trajnerin, çfarë vlerësoni më shumë tek ai?
Më është dhënë mundësia ta njoh për herë të parë kur kemi ndjekur bashkë në Bielefeld një ndeshje të Alban Mehës te Paderborni. Kam folur shumë me të për Kombëtaren. Di të them se është një njeri që e njeh mjaft mirë futbollin. Di të marrë maksimumin e çdo situate dhe ka një eksperiencë të madhe. De Biazi ka bërë një punë të shkëlqyer në ekipin kombëtar dhe unë i uroj shumë fat.
Para ndeshjes me Norvegjinë, FSHF-ja ka menduar të organizojë ceremoninë e lamtumirës nga futbolli i luajtur për ju dhe Lalën. Si e mendon momentin kur do të dilni në fushë për herë të fundit para tifozëve kuqezi në “Qemal Stafa”?
Çdo fillim e ka edhe një fund. Pikërisht në fund, ne lojtarët kuptojmë më mirë se ëndrra që jetuam ishte e vërtetë, e bukur, e vështirë dhe mjaft emocionuese. Të gjitha këto do t’i përjetojmë edhe një herë atë ditë në një ndeshje kaq të rëndësishme të Kombëtares sonë. Do jenë emocione të jashtëzakonshme për mua dhe Altinin. Meqë më jepet rasti, falënderoj së pari familjen time, sepse pa të nuk do të kisha këtë karrierë sportive. Falënderoj pa masë shokët e ekipit kombëtar dhe të gjithë trajnerët, me të cilët kam punuar. Këtu dua të përfshij edhe stafin e ekipit, me mjekët, masazhatorët, punëtorët dhe përkthyesit. Gjithashtu falënderoj FSHF-në dhe presidentin Armand Duka. Pa tërë këta njerëz unë nuk do isha asnjëherë ai që kam qenë gjatë këtyre viteve. Së fundmi, falënderoj nga zemra tifozët kuqezi, të cilët më dhanë kaq shumë kënaqësi gjatë 11 viteve aktivizim në Kombëtare.

Ish-fantazisti vlonjat bën menaxherin Ervin Skela ka afro dy vjet që ka nisur punën e menaxherit, pasi është pajisur edhe me licencën e FIFA-s. “U bë kohë që jam në një kompani menaxherësh futbolli në Gjermani. Kjo periudhë ka qenë e ngarkuar për mua, ndërkohë që në vitin e kaluar ndoqa edhe kursin për trajner në Shqipëri. E kam thënë edhe më parë se më pëlqen ideja që të jem trajner në të ardhmen, por të shohim”, – është shprehur vlonjati. Skela u tërhoq nga futbolli i luajtur dy vite më parë. Pas largimit nga skuadra polake, Arka Gdynia, ish-mesfushori nuk arriti të gjente skuadër në Gjermani, edhe pse u përfolën disa alternativa. Ai jeton ende në shtetin gjerman.

FSHF-ja, ceremoni për Lalën dhe Skelën
Altin Lala dhe Ervin Skela do t’i japin zyrtarisht lamtumirën futbollit të luajtur në një ceremoni para ndeshjes së të premtes mes Shqipërisë dhe Norvegjisë, që do të zhvillohet më 7 qershor në stadiumin “Qemal Stafa”. Mes vendimeve të marra nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, më datë 19 prill të këtij viti, një prej tyre ishte edhe organizimi i ceremonisë së lamtumirës për dy ish-kapitenët e Kombëtares shqiptare. Edhe pse kjo ceremoni duket disi e vonuar, për shkak se dy lojtarët kanë kohë që janë larguar nga përfaqësuesja, vlen për t’u përshëndetur. Skela dhe Lala kanë qenë baza e Kombëtares së Shqipërisë për gati një dekadë. Fantazisti vlonjat luajti 75 ndeshje me fanellën kuqezi, teksa shënoi edhe 13 gola. Nga ana tjetër, ish-kapiteni Lala është rekordmen për sa i përket ndeshjeve të zhvilluara, 79 të tilla. Ndërkohë, kujtojmë që FSHF ka organizuar më parë ceremoni lamtumire për tërheqjen nga Kombëtarja të ish-futbollistëve Foto Strakosha, Edvin Murati, Fatmir Vata dhe Alban Bushi.

Luani si kundër Greqisë, s’kemi… Mesi
Adrian Aliaj e kujton ende atë gol historik që i shënoi Greqisë në vitin 2004. Për ish-mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, edhe takimi që kuqezinjtë luajnë të premten ndaj Norvegjisë, duhet të ketë si frymëzim fitoren e madhe kundër helenëve. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i bën thirrje skuadrës që të shmangë euforinë dhe të jetë e qetë në fushë. Ai mendon se ky është një moment historik, ku Shqipëria mund të bëjë hapin e madh.
Këshillat “I lutem ekipit kombëtar dhe të gjithë faktorëve që e rrethojnë atë, që të ruajë euforinë përpara kësaj ndeshjeje. Kjo është e vetmja gjë e keqe që ne kemi si popull, në ndryshim nga vendet e tjera. Ashtu si ngrihemi dhe ekzaltohemi, ashtu edhe ulemi menjëherë. Stafi teknik dhe lojtarët e kanë të qartë se për çfarë po luhet në këtë takim. Atmosfera është shumë interesante dhe elektrizuese, pasi mbi të gjitha luajmë në fushën tonë. Unë e përsëris, ajo që duhet të kemi më shumë kujdes, është të ulim euforinë. Në gjuhën popullore mund të thosha se kjo është ajo që na ka ngrënë kokën gjithë jetës. Lojtarët duhet të luajnë me zemër në fushë, por ta kenë mendjen të kthjellët. Është nga ato ndeshje, ku Shqipëria duhet të tregohet cinike. Na nevojitet shumë të jemi të qetë gjatë lojës. Kjo ka shumë rëndësi, sepse përqendrimi i lojtarëve është i domosdoshëm”, – ka thënë Aliaj. I pyetur se nga cili lojtar pret të bëjë diferencën në këtë takim, vlonjati shtoi: “Doja që protagonist i kësaj ndeshjeje të ishte Odise Roshi, por ai për fat të keq do të mungojë. Megjithatë, ajo që dua të theksoj, është se Shqipëria nuk duhet të bazohet te individualiteti, por vetëm te kolektivi. Arma më e fortë që ne kemi është grupi dhe kështu mund të fitojmë ndaj Norvegjisë. Nuk është ndeshja që na intereson të kemi heronj. Të luajmë të bashkuar, sepse ne nuk kemi Mesin, Falkaon apo Ronaldon”.
Kualifikimi Aliaj mendon se mbajtja e vendit të dytë është një arritje e madhe për Shqipërinë. Duke folur për mundësinë e kualifikimit në Botëror, ish-mbrojtësi mendon se kjo është shumë e vështirë të arrihet. “Dua të flas me pastërti. Si çdo shqiptar, dëshirë kam shumë, por e shikoj shumë të vështirë kualifikimin. Dua të marr si shembull Bosnjën, që në dy edicionet e fundit ka pasur një skuadër shumë më të mirë se ne. Fati i keq i saj ka bërë që të përballet në ‘play-off’ dy herë me Portugalinë, teksa është eliminuar. Hapi i Shqipërisë mendoj se është deri në vendin e dytë dhe nuk ka shumë rëndësi kualifikimi. Mbajtja e këtij pozicioni do të ishte një arritje e madhe për ne. Rëndësi ka të jemi në këto nivele, sepse në ‘play-off’ kam përshtypjen se do të kemi kundërshtar super të vështirë. Megjithatë, t’ia lëmë në dorë kohës dhe fatit”, – është shprehur Aliaj. Në fund 36- vjeçari nuk i kursen elozhet për trajnerin De Biazi. “Të them të drejtën, rezultati që arritëm në Norvegji për mua ishte një surprizë e madhe. Nuk e prisja të arrinim deri këtu, por ky sukses i Kombëtares nuk është i pamerituar. Kjo nuk është rastësi, pasi trajneri De Biazi arriti të formonte një grup kompakt. Ai ka provuar shumë lojtarë dhe ka parë kualitetin e atyre që luajnë jashtë dhe brenda Shqipërisë. Mendoj se tani ka ardhur momenti që të bëjmë sigurisht një hap të madh. Me pak fat mund të bëjmë surprizën e madhe. Mirëpo, nga ana tjetër, mund të pësojmë edhe disfatë. Duhet të kemi parasysh se Norvegjia do të vijë në Shqipëri për të luajtur gjithçka, sepse për të është shansi i fundit. Këtë herë do të jetë më e vështirë”, – përfundoi vlonjati.

Kur Aliaj gjunjëzonte helenët
Greqia vinte në Shqipëri si kampione e Europës në vitin 2004, por u gjunjëzua që në ndeshjen e parë post-fitimit të trofeut. Si për koincidencë, grekët luajtën takimin e parë në grupin eliminator në Tiranë, më 4 shtator të vitit 2004. Kuqezinjtë e drejtuar nga gjermani Hans Peter Brigel zhvilluan një ndeshje të madhe, duke fituar me rezultatin 2-1. Për tifozët kuqezi mbetet i paharrueshëm goli i shënuar nga mbrojtësi vlonjat, Adrian Aliaj. Pasi rezultati kishte shkuar 1-0 për Shqipërinë, falë golit të Muratit me kokë që në startin e takimit, një goditje dënimi vetëm pak minuta më pas, bëri që “Qemal Stafa” të shpërthente si vullkan. Aliaj lëshoi një “predhë” me të majtën nga një distancë prej më shumë se 30 metrash, duke mposhtur portierin Nikopolidhis. Ajo fitore e 9 viteve më parë kujtohet ende nga protagonistët, ndërkohë që nga lojtarët, të cilët janë ende pjesë e Kombëtares, në fushë si titullar ka qenë vetëm Lorik Cana.

Aliaj: Sise, drejt skuadrës së Salihit
Hamdi Salihi mund të ketë si partner në skuadrën kineze, Jiangsu Sainty, sulmuesin e mirënjohur francez, Xhibril Sise. Lajmin e ka konfirmuar dje për “Panorama Sport” menaxheri shqiptar, Adrian Aliaj. I pyetur për ndonjë lëvizje të mundshme gjatë kësaj periudhe, ish-futbollisti i Kombëtares zbuloi: “Jam duke çuar në kampionatin kinez sulmuesin Sise. Marrëveshja nuk është mbyllur ende, por besoj se do të konkretizohet ditët e ardhshme”. Ndërkohë, në lidhje me ndonjë lojtar shqiptar që është në planet e Aliajt, vetë vlonjati sqaroi: “Nga futbollistët që aktivizohen në kampionatin shqiptar nuk jam i bindur për momentin. Të vetmin bashkëpunim me lojtarë shqiptarë kam me mesfushorin e Kombëtares, Odise Roshi, i cili pak ditë më parë zgjati kontratën me FSV Frankfurtin. Të shohim në të ardhmen se çfarë mund të bëjmë me ndonjë të ri të talentuar shqiptar”.
JORGIS MEMO

De Biazi zbulon “tetëshen”, edhe katër debutues të tjerë
Xhani de Biazi ka publikuar dje emrat e tetë lojtarëve të tjerë, që do e çojnë në 26 numrin e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjen kundër Norvegjisë. Trajneri italian i përfaqësues shqiptare ka zyrtarizuar kështu edhe katër debutues. Pas Jurgen Gjasulës dhe Azdren Llullakut, të cilët kanë nisur ndërkohë stërvitjen me kuqezinjtë, grupit do i bashkohen për herë të parë edhe mbrojtësi i Orebros Ilir Berisha, mesfushorët Ergys Kaçe i Paok-ut, Amir Abrashi i Grashopersit dhe Vullnet Basha i Sionit. Përforcime, që konfirmojnë edhe një herë tjetër tendencën e De Biazit për të zbuluar sa më shumë elementë cilësorë për Shqipërinë, të cilët mund të jenë pjesë e rëndësishme në të ardhmen.
Lista Mes tetë futbollistëve të tjerë, që iu shtuan listës për sfidën e datës 7 qershor, janë edhe Hamdi Salihi, Elseid Hysaj, Valdet Rama dhe Emiljano Vila. Mungesa e vetme është ajo që u tha disa ditë më parë, Armando Sadiku. Bie në sy numri i madh i mesfushorëve në dispozicion të trajnerit, duke konfirmuar se është një repart në “tranzicion”, deri sa të qartësohet se cilët janë elementët që mund të meritojnë fanellën e titullarit. Edhe pse dueli me Norvegjinë është shumë i rëndësishëm dhe zgjedhjet do të jenë të studiuara mirë, ka një rivalitet të fortë mes futbollistëve të sapoardhur, duke pasur një probabilitet të lartë që mes katër vendeve në mesfushë, të jenë dy debutues që nga minuta e parë. Ndërkohë, prej listës së 26 të grumbulluarve, do ketë mjaft “skarcime”, ku minimalisht tre prej tyre nuk do të jenë zyrtarisht në dispozicion për përballjen ndaj kombëtares së Egil Olsenit. Ndërkohë, prej gjashtë debutuesve, me shumë gjasa, asnjëri nuk do të jetë pjesë e të “skarcuarëve”…

‘Shkëlqejmë’ te kartonët, por harrojmë… kornet
Shqipëria e Xhani De Biazit nuk ka arritur të marrë dot kryesimin e grupit (ku bëjnë pjesë edhe Zvicra, Islanda, Norvegjia, Sllovenia dhe Qipro) në këto kualifikuese, pas pesë ndeshjeve të para, por jemi të parët ama për të paktën një gjë: kartonët. Duke vërejtur me kujdes të gjitha statistikat e ndeshjeve të zhvilluara deri tani (gola të shënuar, të pësuar, kartonë të verdhë, të kuq, gjuajtje në portë, pozicione jashtë loje, goditje këndi, faulle të shkaktuara e të pësuara) konstatojmë se kuqezinjtë janë skuadra më e ndëshkuar nga arbitrat në pesë ndeshjet e luajtura deri tani për kualifikimet e Botërorit 2014, i cili do të zhvillohet në Brazil. Paradoksal ndërkaq duket fakti që, edhe pse jemi skuadra më e ndëshkuar dhe për rrjedhojë duhej të ishim edhe ajo që shkakton më shumë faulle, në antitezë me kartonët kuqezinjtë janë ekipi që bën më pak ndërhyrje të gabuara.
Golat - Shqipëria ka shënuar 6 gola në 5 ndeshje, duke ndarë kështu vendin e dytë së bashku me Islandën. Më shumë ka shënuar Zvicra, 7 gola, dhe më pak Qiproja me Slloveninë nga 4 gola. Ndërsa në rang europian, skuadra që ka shënuar më shumë gola është Bosnja dhe Gjermania nga 15, të ndjekura nga Holanda me 13 gola. Shqipëria renditet në vendin e 20-të, natyrisht më mirë se Qipro dhe Sllovenia. Kurse për sa i përket golave të pësuar në renditjen kokëposhtë, kryeson Lihtenshtejni (14 gola të pësuar), Andorra dhe San Marino nga 13 gola. Shqipëria në këtë renditje zë vendin e 19-të duke pasur përpara saj natyrisht Slloveninë dhe Qipron.
Kartonët - Shquhemi për kartonë. Në Grupin E jemi më të ndëshkuarit nga arbitrat me 16 kartonë duke lënë pas të gjitha skuadrat e tjera në grup. Në disa raste jemi ndëshkuar për lojë të rëndë, por ka pasur edhe momente kur “bilbilat” europianë na kanë dënuar për moskorrektësi dhe protesta. Në rang europian renditemi të 4-it, ndërsa kryesimin e ka Lituania me 20 kartonë të verdhë, e ndjekur nga Maqedonia (18) dhe Mali i Zi (17). Më mirë në këtë renditje janë Bosnja, Suedia dhe Estonia, tri kombëtare këto që së bashku nuk kanë marrë më shumë se 13 kartonë. Për sa i përket kartonëve, jemi fatmirësisht në vendet e mesit të renditjes, duke qenë se kombëtare si ajo e Bullgarisë, Uellsit, Armenisë kanë marrë nga më shumë se 2 të kuq. Te Shqipëria i vetmi i ndëshkuar me karton të kuq është Andi Lila.
Gjuajtjet - Loja e një skuadre matet më së shumti nga golat që shënon, por edhe nga gjuajtjet drejt portës. Kështu në këtë renditje Shqipëria e De Biazit mban vendin e 4-t duke lënë pas vetëm Islandën dhe Qipron. Ndërsa rekordin e ka Norvegjia me 29 gjuajtje në kuadratin e portave kundërshtare. Në rang europian, vendin e parë e mbajnë “pancerat” e Joakim Lëvit me 33 gjuajtje në kuadrat. Ndërkaq jemi në defiçencë sa u përket korneve. Jo vetëm në grupin tonë që mbajmë vendin e fundit me vetëm 12 të tilla, por edhe në rang europian jemi një nga kombëtaret që përqendrohemi shumë pak nga krahët, çka si konkluzion jemi të 42-ët në Europë.
Faullet - Nuk jemi një skuadër që luan rëndë, duke treguar edhe një herë faktin e mësipërm që kartonët kuqezinjtë i kanë marrë edhe për protesta. Kjo, pasi për sa u përket faulleve të shkaktuara, por edhe të pësuara renditemi të parët. Askush në grupin tonë nuk ka numrin më të vogël sa u përket faulleve, teksa rekordin për lojën e fortë e mban Islanda me 72 faulle që ka shkaktuar në pesë ndeshje të zhvilluara. Në rang europian, Bjellorusia zë vendin e parë me 83 faulle të shkaktuara, e ndjekur nga Bullgaria me 72 faulle.

Lila, në podiumin e më të ndëshkuarve në Europë
Andi Lila është jo vetëm lojtari që ka marrë më shumë kartonë te skuadra jonë përfaqësuese, por edhe një ndër më të ndëshkuarit në rang europian. Duke iu referuar statistikave vërejmë se mbrojtësi kuqezi renditet i treti në Europë pas pesë ndeshjeve të para, pas Ramsejt të Uellsit dhe bullgarit Djakov. Lila është ndëshkuar në ndeshjen ndaj Sllovenisë dhe Norvegjisë me tre kartonë të verdhë (ndaj nordikëve mori dy të verdhë dhe automatikisht të kuqin), ndaj edhe rezulton si një nga mungesat më të rëndësishme të skuadrës së De Biazit për takimin e 7 qershorit. Veç tij, nga dy kartonë te Shqipëria kanë marrë edhe Cana e Roshi, teksa janë edhe plot 9 lojtarë të tjerë, tre nga të cilët të pagrumbulluar në këtë takim, që rrezikojnë të pezullohen nëse marrin karton të verdhë në ndeshjet e radhës. Sakaq, kujtojmë që Lila është edhe një nga lojtarët më të ndëshkuar edhe në kampionatin grek të futbollit. Ai është i vetmi që ka koleksionuar 15 kartonë të verdhë për këtë sezon te PAS Janina, por fatmirësisht nuk ka marrë asnjë të kuq.


Shpërthen Sadiku, por sulmuesi humb “Këpucën e Artë”
Shënoi dy gola (mad je tre, por njëri shumë i bukur për nga mënyra e ekzekutimit iu anulua nga arbitri për pozicion jashtë loje), por nuk i mjaftuan që të fitonte “Këpucën e Artë” në kampionatin zviceran të futbollit, kategoria e dytë. Bëhet fjalë për Armando Sadikun, i cili shpërtheu në javën e fundit të sezonit në përballjen Lugano- Belizona (4-3), duke shkuar kështu në kuotën e 18 golave në total. Por, në të njëjtën orë, dje luante edhe Arau në fushën e Vil, skuadër që fitoi 0-3, ku dy gola si me porosi u shënuan nga Davide Kalà. Sulmuesi i Araut, i cili kishte 17 gola deri para këtij takimi, me dopietën e djeshme arriti që të mbante distancën prej një goli me Sadikun, duke i marrë kështu çmimin e golashënuesit më të mirë të sezonit. Duhet thënë se sulmuesi shqiptar e kryesoi këtë renditje për më shumë se 30 javë, por në katër takimet e fundit shpërtheu edhe Kalà, i cili shënoi plot shtatë gola, duke e parakaluar elbasanasin. Sakaq, një ndikim të madh te ky çmim pati edhe ndëshkimi që mori Lugano para disa javësh nga federata zvicerane, pas ndeshjes Lokarno-Lugano (0- 3). Në atë takim Sadiku pat shënuar dy gola, që iu hoqën pasi federata i dha fitoren në tavolinë Lokarnos (ish-skuadra e sulmuesit shqiptar), pasi Lugano kishte aktivizuar për pak minuta në këtë ndeshje një lojtar të huaj më shumë, duke shkelur rregulloren. Kështu, në një farë mënyre, Sadiku është fituesi moral i “Këpucës së Artë”, paçka se de fakto çmimit do t’i gëzohet Davide Kalà. Për sa i përket takimit të djeshëm, Sadiku hapi serinë e golave në minutën e 5-të, pas një krosimi të kosovarit Shalaj. Sulmuesi u gjend i lirë në zonë dhe me kokë e kaloi në avantazh Luganon. Në minutën e 26-të Sadiku pati mundësinë që t’i dyfishonte shifrat, por portieri i skuadrës mike bëri mrekullinë duke e grushtuar topin. Gjithsesi, Diego do të shënonte golin e 2-të në minutën e 42-të. Në pjesën e dytë, Sadiku do realizonte një supergol, me një gjuajtje fluturimthi, por arbitri e anuloi për pozicion jashtë loje. Menjëherë më pas erdhi goli i parë i miqve. Por Sadiku trefishon, duke shfrytëzuar më së miri një përgjumje të mbrojtjes vendëse. Më pas, shënoi golin e dytë për Belizonën edhe Da Silva, të katërtin për Luganon. Penalltia e Rusi në minutën e fundit vetëm sa çoi në shtatë numrin total të golave në këtë ndeshje të fundit të sezonit, ku Lugano e mbylli në vendin e 7-të me 11 fitore, 11 barazime dhe 14 humbje.

Kaçe në Champions, Lila e Vila në Ligën e Europës
PAOK-u i Ergys Kaçes do të luajë në Champions për sezonin tjetër në Kupat e Europës, ndërsa PAS Janina e Andi Lilës, Emiljano Vilës dhe Simon Rrumbullakut, ashtu sikundër pritej, do të luajë në Ligën e Europës. Verdiktet u dhanë dje, pas ndeshjeve të fundit në grupin për “play-off”- et e Kupave të Europës, në Greqi. Atromitos barazoi pa gola me Asteras Tripolis, duke mos arritur që të kapë Championsin, ndërsa PAOK-u fitoi 2-1, në fushën e Janinës. Edhe pse vendësit shënuan të parë me De Vinçenti në pjesën e parë, miqtë nga Selaniku barazuan dhe kaluan në avantazh në harkun e 4 minutave në pjesën e dytë (70, 74). Në këtë përballje Lila ishte i pezulluar dhe nuk u aktivizua, ndërsa Kaçe dhe Vila (u zëvendësua në minutën e 86-të), luajtën si titullarë. Në fushë u pa edhe Rrumbullaku, i cili u fut në lojë në minutën e 80-të. Pas ndeshjeve të fundit, PAOK-u zuri vendin e parë me 13 pikë, i ndjekur nga Atromitos me 11 pikë, Asteras Tripolis me 9 pikë dhe Janina me 7 pikë.

Norvegjia, vetëm 4 seanca stërvitore para Shqipërisë
Federata norvegjeze e futbollit ka publikuar programin stërvitor që do të ndjekin nordikët gjatë javës për ndeshjen e 7 qershorit me Shqipërinë në “Qemal Stafa”. Ndryshe nga kuqezinjtë, që i kanë nisur prej disa ditësh përgatitjet, pasi pjesa më e madhe e tyre e kanë mbyllur sezonin, norvegjezët, të cilët janë në mes të kampionatit, do të grumbullohen sot, në Oslo. Në orën 15:00 do të zhvillojnë seancën e parë stërvitore, ndërsa në 17:30 trajneri Egil Olsen, i shoqëruar nga një ose dy futbollistë, do të japin konferencën e parë për shtyp. Të martën pasdite dhe të mërkurën në mesditë norvegjezët do vijojnë stërvitjen në stadiumin “Ulleval” të Oslos, për të mbërritur në Tiranë me çarter në mbrëmjen e 5 qershorit. Të enjten përgatitjet e norvegjezëve do të vijojnë në “Qemal Stafa”, në orën 18:00, ndërsa pak para se të nisë seanca e fundit stërvitore trajneri Olsen do të japë konferencën e zakonshme për shtyp, në vigjilje të sfidës me kuqezinjtë. Dyert e “Qemal Stafa”-s do të jenë të hapura për mediat vetëm gjatë 15 minutave të para të seancës së fundit. Takimi i shumëpritur Shqipëri-Norvegji do të nisë të premten, në orën 20:30, ndërsa të shtunën në orën 11:30 në ambientet e “Sheraton” është parashikuar një tjetër konferencë për shtyp, para se delegacioni norvegjez të niset drejt Rinasit.
LEONARD KARAJ

Shkëlqen Çani, “poker” kuqezi. Gjasula, truri i skuadrës
Kombëtarja e Xhani De Biazit është testuar dje në një ndeshje përballë ekipit U- 21, që drejtohet nga Skënder Gega. Për të parë atë se çfarë kanë “gatuar” në këto ditë lojtarët, De Biazi ka preferuar t’i shohë të besuarit e tij në fushë ndaj kuqezinjve të rinj. Ndeshja ka përfunduar me rezultatin 4-0 në favor të Kombëtares A, ndërsa ajo që ra në sy ishte performanca e sulmuesit Edgar Çani, i cili shënoi tre gola. Ai gjithashtu dha asistin për golin e katërt, që mban firmën e shkodranit Vajushi. Një përshtypje të mirë te trajneri De Biazi la edhe Jurgen Gjasula, i cili u aktivizua në krahun e majtë të mesfushës.

KOMBËTARJA A – KOMBËTARJA U-21
GOLAT: Çani 10′, 23′, 42′, Vajushi 65′
KOMBËTARJA A: Ujkani, Dallku, Teli, Curri, Agolli, Llullaku, Lilaj, Bulku, Gjasula, Çani, Bogdani. (U aktivizuan: Arapi, Osmani, Mavraj, Basha, Vajushi). Trajner: Xhani De Biazi
KOMBËTARJA U-21: Menka, Dita, Prençi, Gjoka, Matoshi, Bunjaku, Batha, Taipi, Shkurtaj, Abazaj, Shala. (U aktivizuan: Ruçi, Rahmani, Qaqi, Imami, Vogli, Gino, Deliallisi, Kërçiku, Musta, Hoxha, Ahmedi). Trajner: Skënder Gega

Pjesa e parë Italiani kishte menduar që në pjesën e parë të ndeshjes të luante me skemën 4-4-2, e cila shpesh shkonte edhe 4-4-1-1, pasi sulmuesi Çani qëndronte më i tërhequr se Bogdani, i cili ishte vendosur në majë të repartit defensiv. Në portë e nisi Ujkani, ndërkohë që Berisha u la në stol. Në mbrojtje me katër në vijë, nga e djathta vepronte Dallku, ndërsa në të majtë Agolli. Teksa pritej aktivizimi i dyshes Osmani-Mavraj në qendër, ndodhi e kundërta, sepse si titullarë De Biazi hodhi në fushë Currin me Telin, të cilët mendohet se do të jenë zëvendësuesit e Canës. Nga ana tjetër, në mesfushë De Biazi rreshtoi katërshen: Llullaku djathtas, Lilaj e Bulku në qendër, si dhe Gjasula në të majtë. Përpara katër mesfushorëve qëndronte Çani, ndërsa në majë të sulmit Bogdani. Çani ishte dje në një ditë mjaft të mirë, ndërkohë që përveçse duhej të shfaqej përpara portës për ta çuar topin në rrjetë, kishte edhe detyra të tjera. Në momentin që topi zotërohej nga kundërshtari, sulmuesi tërhiqej me shpejtësi për të ndihmuar skuadrën në fazën mbrojtëse. Duke qenë se në sulm kishte hedhur dy lojtarë shtatlartë, furnizimi nga krahët me topa të gjatë ishte mjaft i domosdoshëm. Për këtë mendonte Llullaku dhe Gjasula. Ky i fundit ndihmohej herë pas here nga Agolli, i cili ka si specialitet krosimet në zonë. Ndërsa Bulku dhe Lilaj mundoheshin të mos e lejonin topin të kalonte në gjysmëfushën e tyre, duke e ndihmuar jashtëzakonisht repartin e mbrojtjes. Ky i fundit funksionoi në mënyrë perfekte dhe nuk u la asnjë hapësirë kuqezinjve të vegjël për të kërcënuar Ujkanin. Që në startin e ndeshjes, Çani arrin të zhbllokojë rezultatin, teksa me një goditje të bukur mposhti portierin Menka. Pa u mbyllur pjesa e parë sulmuesi arriti të realizonte edhe dy gola të tjerë. De Biazin e ka kënaqur paraqitja e skuadrës në këtë fraksion, që u mbyll në shifrat 3- 0. Në pjesën e dytë trajneri kishte ide të tjera, teksa ndryshoi skemën, duke e bërë edhe më sulmuese.
Në 45 minutat e dyta nisën edhe zëvendësimet, ndërkohë që ndryshoi edhe mënyra e lojës. Rreshtimi që iu bë skuadrës ishte në 4-2- 3-1, ndërkohë që bëhej gjatë lojës edhe 4-4-1-1. Në portë nuk pati ndryshime, kurse mbrojtja me përjashtim të Currit u ndryshua e gjitha. Osmani dhe Vrapi zunë vend në qendër, Arapi në të majtë dhe Curri u spostua në të djathtë. Bulku ia la vendin Bashës, ndërsa Gjasula Vajushit. Pjesa e dytë nisi mirë dhe skuadra kishte më tepër hapësira në fushë. Basha mori përsipër edhe shkatërrimin dhe ndërtimin e aksioneve, duke treguar një formë të mirë. Llullaku, edhe pse shumë i lëvizshëm, nuk guxonte të shtynte përpara, ndërsa Vajushi mundohej të shkëputej nga krahët, duke shfrytëzuar shpejtësinë e tij. Shkodrani u bë protagonist i golit të katërt, pas pasimit që mori nga Çani. Trajneri nuk e mbajti më shumë se 15 minuta jashtë Gjasulën, pasi e futi sërish në lojë në vend të Bogdanit. Riaktivizimi i tij ndryshoi lojën, por jo rezultatin, i cili mbeti 4-0.

Gjasula bëhet “truri” i Kombëtares
Jurgen Gjasula pritet të jetë titullar ndaj Norvegjisë. Duket se trajneri Xhani De Biazi do të “riskojë” me mesfushorin debutues, ashtu si bëri edhe në ndeshjen hapëse të edicionit ndaj Qipros, kur aktivizoi për herë të parë si titullarë kosovarët Meha e Kukeli. Që nga dita e parë e grumbullimit të kuqezinjve në Durrës e deri dje, italiani ka nisur të punojë taktikisht, duke bazuar gjithçka te Gjasula. Ky i fundit është përdorur edhe si mesfushor i majtë, edhe si një sulmues i maskuar, por edhe si një lojtar që mund të jetë pas sulmuesit kryesor. Pritet që 27-vjeçari të bëjë pak a shumë rolin e Mehës, fantazistit që mungon ndaj Norvegjisë. Trajneri De Biazi ka vendosur që Gjasula të marrë përsipër të gjitha goditjet e dënimit dhe ato këndore. Kjo u konfirmua edhe në ndeshjen e djeshme miqësore që u luajt kundër ekipit U-21.
Taktika Nga ajo që u pa, italiani kishte urdhëruar që ekzekutimi i goditjeve standarde të bëhej vetëm nga këmbët e Gjasulës. Përveç krosimeve në zonë për sulmuesit, lojtari e kënaqi De Biazin edhe me rendimentin që tregoi në lojë. Mesfushori bëri diferencën në ndeshjen e kontrollit, teksa e nisi fillimisht në krahun e majtë. Pasi përfundoi pjesën e parë, ai u zëvendësua me Vajushin, por qëndrimi jashtë fushe nuk zgjati më shumë se 15 minuta. De Biazi vendosi ta rikthente sërish në lojë, duke nxjerrë Bogdanin. Me këtë lëvizje, në sulm i vetëm kaloi Çani dhe në ndihmë të fundit trajneri vendosi Gjasulën. Ai luajti edhe si sulmues i fshehur, ndërsa herë pas here ndryshonte vendin me Llullakun nga krahët. Pas kosovarit Migjen Basha, duket se Gjasula është prurja më cilësore e ardhur së fundmi në ekipin kombëtar. De Biazi duket se ka gjetur “trurin” e përfaqësueses, por për ta vërtetuar këtë, duhet pritur ndeshja me Norvegjinë, teksa skuadrës i mbetet për t’u përgatitur edhe në katër seanca duke filluar nga e hëna. Gjithsesi, mesfushori që e mbylli sezonin me Duisburgun në Bundesligën 2 me shumë mundësi do të debutojë si titullar.

Llullaku si sulmues krahu, trajneri pret më… shumë
Azdren Llullaku ka luajtur dje si titullar në krahun e djathtë të mesfushës. Lojtari kosovar është vendosur nga trajneri Xhani De Biazi pikërisht në rolin që kryen Odise Roshi, i cili mungon ndaj Norvegjisë për shkak kartonësh. Në ndryshim nga Gjasula, 25-vjeçari, që luan në Rumani me Gaz Metan, ende nuk është përshtatur më së miri. Në miqësoren e djeshme ai luajti më tepër si një sulmues krahu, por në krahasim me debutuesin tjetër, Gjasula nuk arriti të shtynte drejt ofensivës. Gjithsesi, nga ana taktike, kosovari tregoi shenja të mira. Llullaku është një futbollist me karakteristika të përafërta me shkodranin Vajushi. Tashmë mbetet për t’u parë nëse De Biazi do t’i rezervojë një vend si titullar ndaj Norvegjisë. Kosovari grumbullohet për herë të parë në Kombëtare.

Këshillat e De Biazit për ekipin
Trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, kishte menduar ta ndiqte ndeshjen nga një kënd tjetër i fushës, jo nga pankina, pasi mendonte se mund ta shikonte dhe drejtonte më mirë skuadrën. Ajo çka italiani kërkonte vazhdimisht nga futbollistët ishte loja e shpejtë dhe e kujdesshme. Ai i kishte paralajmëruar lojtarët që të bënin kujdes në dyluftime. Fakti që nuk do të ketë në dispozicion disa titullarë për arsye pezullimesh dhe dëmtimesh, italiani nuk dëshiron që lista të zgjatet edhe më shumë. Një nga urdhrat ishte që lojtarët të shmangnin përplasjet me kundërshtarin. Gjithçka shkoi mirë dhe testi i kontrollit me Kombëtaren U-21 nuk pati shqetësime. Stafi mjekësor gjithashtu ka konfirmuar se asnjë nga 19 lojtarët, që janë aktualisht të grumbulluar, nuk kanë probleme.

Dallku: Norvegjia s’na mori seriozisht në Oslo
Armend Dallku kërkon një Shqipëri të duruar në fushë ndaj Norvegjisë. Sipas tij, vetëm kështu nuk do të përsëriten gabimet që Kombëtarja ka bërë në të kaluarën gjatë ndeshjeve kyçe të edicionit. Mbrojtësi kosovar i kuqezinjve, në konferencën e djeshme për shtyp, deklaroi ndër të tjera se këtë herë pret një Norvegji më të motivuar. “Ata nuk na morën seriozisht në ndeshjen e parë, por tani do të jetë krejt ndryshe”, – u shpreh 29-vjeçari.
Armend, Kombëtarja vjen në këtë takim me disa mungesa. Mendoni se do të ndikojnë këto në lojën e skuadrës?
Normalisht mungesat janë të rëndësishme, pasi ne nuk kemi në skuadër 40 lojtarë që të bëjmë zëvendësime kokë më kokë. Sigurisht që do të ndikojnë, por si ne lojtarët, ashtu edhe trajneri, po punojmë që këto mungesa të ndihen sa më pak. Lojtarët e grumbulluar për këtë ndeshje i kanë idetë të qarta. Kemi të bëjmë me një ndeshje kyçe për ekipin kombëtar në këto eliminatore dhe të gjithë do të mundohen të japin maksimumin. Ne do të jemi të bashkuar në këtë përballje dhe do përpiqemi që mungesat të mos na pengojnë për të marrë një rezultat pozitiv.
Cili është komenti juaj për lojtarët e rinj që janë afruar së fundmi në skuadër?
Në fakt, për këtë ndeshje janë disa lojtarë që vijnë për herë të parë në Kombëtare dhe detyrimisht kualiteti në skuadër është rritur ndjeshëm. Kjo është një gjë e mirë që të vijnë sa më shumë lojtarë, sepse do të kemi mundësinë e përzgjedhjes. Pastaj i takon trajnerit ta menaxhojë grupin. Është vetëm puna e tij të vendosë se kush do të aktivizohet. Ne jemi këtu për të bërë punën tonë dhe po stërvitemi maksimalisht për të qenë gati ndaj Norvegjisë. Prurjet e reja janë mjaft të rëndësishme, sidomos në këtë moment kur kemi nevojë për sa më shumë lojtarë të niveleve të larta. Kemi mungesa dhe ardhja e tyre na ngroh më tepër për të formuar skuadrën e duhur, që ta përmbushë më së miri detyrën. Disa prej tyre vijnë për të parën herë, por gjatë bisedave që kam bërë me ta, kam vënë re se kanë dëshirë të madhe dhe janë të fokusuar totalisht vetëm te kjo ndeshje.
Kemi fituar në Oslo, sa e vështirë do të jetë të përsëritet kjo në Tiranë?
Nuk diskutohet që kjo është ndeshja më e rëndësishme e këtyre eliminatoreve, ndaj dhe duhet ta vlerësojmë si të tillë. Dihet që përballë do të kemi një kundërshtar që e kemi mposhtur në fushën e vet, vetëm se këtë herë gjërat do të jenë krejt ndryshe, pasi ata do të vijnë më të motivuar se në ndeshjen e parë në Oslo. Mendimi im personal është që Norvegjia nuk na mori seriozisht në takimin e parë, sepse nuk prisnin që ne të bënim një ndeshje të tillë atje. Kam lexuar disa intervista të teknikut norvegjez, i cili ka deklaruar se ka mbetur i befasuar nga paraqitja që ne bëmë në ndeshjen e parë. Kështu që në këtë takim ne duhet të jemi maksimalisht të koncentruar dhe të mos hyjmë në fushë për të shënuar që nga minuta e parë. Duhet ta marrim shtruar sfidën dhe të jemi të kujdesshëm në çdo detaj. Nuk duhet të futemi në fushë me një mbimotivim, por të presim gabimet e kundërshtarit dhe t’i shfrytëzojmë ato duke i kthyer në favorin tonë.
Kujt i druheni më tepër tek ekipi viking?
Të gjithë ekipit. Ata nuk kanë një skuadër me elemente që mund të vendosin ndeshjen, por luajnë të gjithë bashkë dhe funksionojnë si grup. Kam përshtypjen se kjo është edhe pika më e fortë e tyre, sepse bazohen te grupi. Këtë herë Norvegjisë do t’i mungojë Rise, i cili është një lojtar deciziv dhe me eksperiencë të madhe. Shpresoj që mungesa e tij t’u prishë punë.
Çfarë duhet të bëjmë më shumë se në Oslo për të fituar sërish?
Unë mendoj se duhet të bëjmë të njëjtën gjë që bëmë edhe në Oslo, pasi ata vijnë më të motivuar. Edhe për ata kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme, sepse janë në të njëjtat pozita, sikurse edhe ne. Duhet të jemi 100% të motivuar dhe të mos nxitohemi, duke dalë përpara në kërkim të golit. Ne kemi eksperienca të hidhura, sidomos në fushën tonë, ku kemi kërkuar ta gjejmë golin sa më shpejt dhe i kemi lënë hapësira kundërshtarit.
Sot (dje) ju luajtët edhe një ndeshje kontrolli. Si ju duk paraqitja e skuadrës? Grupi është normal. Siç e dini, këto ditë kemi punuar me trajnerin më shumë në aspektin fizik, sepse disa futbollistë kanë kohë që nuk luajnë për shkak se kampionatet ku aktivizohen kanë përfunduar. Grupi po punon mirë dhe së bashku me stafin janë karikuar maksimalisht. Ditën e hënë vjen edhe pjesa tjetër e lojtarëve dhe atëherë do të nisim përgatitjet nga ana taktike. Edhe sot (dje) skuadra tregoi dëshirë të madhe për të luajtur, ndonëse ishte një ndeshje kontrolli. Besoj si ishte një paraqitje e mirë dhe lojtarët e rinj bënë një punë për t’u vlerësuar, duke dëshmuar se mund të kemi plotësisht besim tek ata.

Teli: Jam gati, De Biazi është një motivues i madh
Admir Teli është i lumtur që pas shumë kohësh rikthehet në Kombëtare. Mbrojtësi shkodran ndihet i gatshëm për të dhënë maksimumin me fanellën kuqezi. Në konferencën e djeshme për shtyp, ai vlerësoi trajnerin De Biazi për motivimin e madh që u bën lojtarëve. Teli pret të luajë titullar ndaj Norvegjisë.
Admir, ju ktheheni në Kombëtare pas gati dy vitesh jashtë saj. Mos ndoshta ftesa e De Biazit ishte disi e vonuar?
Unë për asnjë moment nuk e kam ndier veten jashtë ekipit kombëtar. Gjithsesi, jam i kënaqur që ndodhem këtu duke punuar së bashku me grupin. Ardhja e De Biazit në Baku shfaqi interes te drejtuesit e klubit ku unë aktivizohem. Megjithëse tekniku nuk pati mundësi të takohej me presidentin e Karabakut, ardhja e tij pati një vlerë pozitive për ne. Nuk është hera e parë që unë dhe Agolli grumbullohemi në Kombëtare, pasi kemi qenë edhe më herët pjesë e saj. Megjithatë, është një kënaqësi si për klubin azerbajxhanas dhe veçanërisht për mua që rikthehem në Kombëtare për këtë ndeshje të rëndësishme ndaj Norvegjisë.
Ju jeni një titullar i padiskutueshëm te Karabaku, aktualisht si ndiheni?
Nuk besoj se është një rekord për t’u përmendur. Normalisht kjo vjen si rezultat i stërvitjeve të vazhdueshme dhe besimit të trajnerit, por edhe paraqitjeve të mia. Nuk do të thosha se ka shumë rëndësi pjesa e aktivizimit. E rëndësishme është që po kaloj një formë të mirë sportive.
Jeni gati ta zëvendësoni Canën në qendër të mbrojtjes?
Shikoni, këto ndërrimet kokë më kokë të them të drejtën nuk më duken normale, sepse lojtarët nuk janë të njëjtë. Ata kanë aftësi të ndryshme dhe secili ka mënyrën e vet të të luajturit. Ekipi kombëtar ka 25 futbollistë në dispozicion dhe të gjithë ata që thirren kanë vlerat e tyre. Trajneri është menduar mirë kur ka bërë ftesat dhe i ka idetë të qarta për secilin prej nesh. Për mua e rëndësishme është që u ktheva në Kombëtare, ndërsa për pjesën e zëvendësimit kemi kohë deri ditën e ndeshjes. Sigurisht, nëse trajneri do vendosë që unë të luaj si titullar, premtoj se do të jap maksimumin tim, ashtu si gjithnjë. Një veçori për t’u vlerësuar tek De Biazi është motivimi që u bën lojtarëve. Këto ditë ai është marrë vetëm me përgatitjen fizike të skuadrës, ndërsa ditët në vijim do të dalim tek ana taktike.
Ju keni luajtur në një tjetër ndeshje decizive si ajo në Portugali, ku dolët me të kuqe dhe Shqipëria mori një barazim. Do ta ndërronit kartonin e kuq në këmbim të barazimit me Norvegjinë?
Ne do të futemi në fushë për ta fituar këtë ndeshje dhe jo vetëm për barazim. Kartonin nuk do doja ta merrja si në ndeshjen e parë, edhe në të radhës me Norvegjinë, sepse nuk ndahen këtu gjërat. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe të gjithë e kuptojnë.

De Biazi, kurrë me të njëjtin ekip
Ju kujtohet konferenca para ndeshjes e Josip Kuzhesë? Deklarata e parë ishte formacioni për ndeshjen e radhës, paçka se ndryshimet ishin me pikatore, ose fare, dhe më pas vijonte me analizën e prangndeshjes. Totalisht tjetër gjë ndodh me De Biazin. Italiani, natyrisht i ndryshëm nga kroati edhe për nga shkolla nga ka dalë, është një fjalëkryq i vërtetë kur vjen puna te formacioni titullar. Dhe, natyrisht, kjo më së shumti për faktin që tekniku aktual studion me detaje jo vetëm kundërshtarin, por edhe çdo lojtar të skuadrës së tij. Ndaj edhe kjo Kombëtare ka ndryshuar jo vetëm në rezultate. Jo vetëm në lojtarë. Jo vetëm në filozofi loje, por edhe në module dhe rreshtim taktik. Kështu është e pamundur që të gjesh një ndeshje nga 12 të luajturat deri tani (pesë për kualifikimet e Botërorit 2014 dhe 7 takime miqësore), ku formacioni të ketë qenë i njëjtë me një përballje të mëparshme. Në portë, sezonin e ka nisur Samir Ujkani, por direkt pas ndeshjes me Islandën tekniku u bind se nr.1 i katërkëndorit kuqezi në fakt duhej të ishte Etrit Berisha. Supergjetje, pasi deri tani ky i fundit nuk ka zhgënjyer aspak. Në mbrojtje, përveç dyshes së qendrës Cana- Mavraj, De Biazi ka bërë shumë lëvizje të tipit Lila në të majtë ose edhe në mesfushë, Agolli ose Arapi në të majtë si dhe Hysaj e Dallku në të djathtë. Në mesfushë janë alternuar sipas kundërshtarit shumë lojtarë, ku Roshin e kemi parë si sulmues, si mesfushor të majtë, por edhe të djathtë. Mehën qoftë si mesfushor krahu, qoftë edhe si sulmues i dytë. Vetëm Bulku ka qenë i palëvizshëm në pozicionin e tij, teksa përkrah ka pasur sa Bashën edhe Kukelin apo Vilën. Edhe sulmi ka pasur shumë lëvizje, por ajo që vihet re në të shumtën e rasteve është fakti që De Biazi preferon të luajë kryesisht me dy sulmues. Kështu Çani ka qenë ndër të preferuarit, por nuk ka mbetur pas edhe Sadiku me Salihin. Bogdani ka qenë gjithnjë rezervë luksi, ndërsa ka pasur raste si në çerekorëshin e fundit ndaj Islandës ku është provuar të luhej edhe me tre sulmues. Pra, ndryshe nga paraardhësit, De Biazi është i vetmi që eksperimenton në gjetjen e një ekipi perfekt, natyrisht duke marrë edhe rezultate.

Formacionet, sa shumë ndryshime edhe në miqësore
De Biazi në ndryshim nga Kuzhe ka përcjellë ashtu sikundër duhet të jetë teorikisht formacioni në një ndeshje miqësore. E teksa kroati luante gjithnjë me gati të njëjtin formacion, italiani ka bërë aq shumë ndryshime, sa në përballje si ndaj Kamerunit apo Lituanisë (edhe për shkak se u bënë shumë zëvendësime) nuk kuptohej sesi kishte qenë formacioni inicial, moduli dhe si kishte ndryshuar gjatë lojës, kjo për shkak të lëvizjeve të shumta të lojtarëve. De Biazi është rrekur gjithnjë të kuptojë se sa dhe ku mund të japë më shumë një lojtar, ndaj nuk është çudi që Lila është parë sa në mbrojtje dhe në mesfushë, Meha sa në mesfushë dhe në sulm, ose Roshi sa nga e majta në të djathtë të mesfushës. Ndërkohë, pikërisht në ndeshjet miqësore (kemi luajtur shtatë të tilla me një bilanc që flet për tri fitore, dy barazime dhe dy humbje), italiani ka provuar edhe lojtarë të kampionatit shqiptar, të cilët më pas i ka aktivizuar edhe në ndeshjet kualifikuese, sikundër ka qenë rasti i Renato Arapit. Përveç kësaj, De Biazi ka bërë edhe një revolucion të vërtetë në Kombëtare, duke zgjeruar hartën e kuqezinjve nga Azia e largët deri në vendet nordike. Deri tani ai ka grumbulluar më shumë se 40 futbollistë, ndërkohë që paraardhësi i tij “ankohej” gjithnjë për mungesë të talenteve shqiptare në Superiore dhe Europë.
Të thirrurit nga De Biazi
Etrit Berisha (portier, 23 vjeç), Erjon Dushku (mbrojtës, 27 vjeç), Elseid Hysaj (mbrojtës, 19 vjeç), Mërgim Mavraj (mbrojtës, 26 vjeç), Renato Arapi (mbrojtës, 26 vjeç), Alban Meha (mesfushor, 27 vjeç), Burim Kukeli (mesfushor 27 vjeç), Bruno Telushi (mesfushor 21 vjeç), Migjen Basha (mesfushor, 26 vjeç), Valdet Rama (mesfushor, 27 vjeç), Hair Zeqiri (mesfushor, 24 vjeç), Erjon Vucaj (mesfushor, 23 vjeç), Armando Vajushi (sulmues, 21 vjeç), Bekim Bala (sulmues, 22 vjeç), Armando Sadiku (sulmues, 22 vjeç), Edgar Çani (sulmues, 23 vjeç). Pritet të vijnë: Ergys Kaçe (19 vjeç), Vullnet Basha (mesfushor, 23 vjeç), Ilir Berisha (mbrojtës, 22 vjeç), Amir Abrashi (mesfushor 23 vjeç), Lorent Sadiku (mbrojtës, 23 vjeç), Agon Mehmeti (sulmues, 24 vjeç).

“Bomberi” Salihi, gol trepikësh në frymën e fundit
Hamdi Salihi bëhet protagonist me skuadrën e tij në Kinë, duke e “shtruar rrugën me gol” në prag të ndeshjes kualifikuese të 7 qershorit me Norvegjinë, në Tiranë. Autori i atij goli të bukur në Oslo, që u dha 3 pikë kuqezinjve, ka qenë njeriu i fitores së Jiangsu Sainti, dje në kampionatin kinez. Triumfi ndaj Hangzhou ka ardhur nga këmbët e sulmuesit shkodran, i cili në minutën e tretë të kohës shtesë ka prishur shifrat e barabarta 1-1, duke u dhënë të tijve 3 pikë të çmuara (ndeshja mbaroi 2-1). Pas një pjese të parë me shumë raste për vendësit e Jiangsu Sainti, në fraksionin e dytë ishte mbrojtësi Ren Hang që shkaktoi një autogol, duke bërë që përballja për ekipin e Salihit të bëhej gjithnjë e më e vështirë. Por, në minutën e 62-të, Aleksander Jeftiç arriti që t’i barazonte shifrat, duke shënuar me kokë, pas një goditjeje këndi. Në 28 minutat në vazhdim loja u përqendrua totalisht në gjysmëfushën e miqve, por Jiangsu Sainti nuk arrinte të shënonte. Dhe, kur pritej vërshëllima e tretë e arbitrit, vjen shënjestra trepikëshe e Hamdi Salihit. Kros në zonën mike, portieri del nga porta, me topin që e largon një mbrojtës. Sfera mbërrin në hyrje të zonës te Lu Bofei, i cili me një parabël, duke parë edhe daljen e gabuar të portieri, u mundua ta dërgonte në rrjetë, por në ndihmë i erdhi pikërisht Salihi, që me kokë e shtyu aq sa duhej për në rrjetë. Shpërthyen natyrshëm gëzimi i shkodranit, i cili heq edhe fanellën duke merituar një karton të verdhë. Ky ishte goli i 6- të i tij në kampionatin kinez, listë të cilën e kryeson sulmuesi i Guangzhou Evergrande, Elkeson, që pozicionohet i pari me 15 gola. Jiangsu ka realizuar 12 gola në 12 javë kampionat, çka do të thotë se gjysma e tyre kanë për autor goleadorin e njohur shkodran. Pas dymbëdhjetë javësh kampionat, skuadra e Salihit pozicionohet në vendin e 7-të me 14 pikë (tri fitore, pesë barazime dhe katër humbje), po aq sa ka edhe Dalian Aerbin. Pas kësaj ndeshjeje, Salihi do të niset drejt Shqipërisë, për t’iu bashkuar Kombëtares në stërvitje, në përgatitjet për sfidën e radhës në Grupin E, ndaj Norvegjisë.

Vila sfidon sot Kaçen, të hënën bashkë në Kombëtare
Emiljano Vila dhe Ergys Kaçe do të jenë sot në fushë si kundërshtarë. Mesfushori i PAS Janinës dhe ai i PAOK-ut, pasi të përfundojnë angazhimin e tyre me klubet, do të udhëtojnë nesër drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar Kombëtares. Për korçarin Kaçe është hera e parë, ndërsa ndryshe mund të thuhet për Vilën. Gjithsesi, së pari sot shqiptarët do të sfidojnë njëri-tjetrin në një ndeshje shumë të rëndësishme për dy skuadrat. Mbrojtësi i Kombëtares, Andi Lila, do të mungojë për shkak kartonësh, ndërsa për të njëjtën arsye ai nuk do të jetë i gatshëm as me Norvegjinë. Të hënën në rezidencën e Kombëtares në Durrës, përveç Vilës dhe Kaçes, do të mbërrijë nga Kina e largët edhe Hamdi Salihi. Udhëtimi për këtë të fundit është shumë i gjatë.

“Fitojmë 2-0, me gola të Salihit e Bogdanit”
Ai ka luajtur 12 vjet me kuqezinjtë dhe e njeh më së miri atë ambient. Në këtë këndvështrim, arsyetimi dhe analiza e tij duhen marrë seriozisht në konsideratë. Bëhet fjalë për lojtarin polivalent, Klodian Duro, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” flet për ndeshjen me Norvegjinë, si dhe ceremoninë e lamtumirës për Lalën e Skelën.
Ju nuk kemi luajtur në dy përballjet e fundviteve ’90-të ndaj Norvegjisë, por besoj se e njihni temperamentin e futbollit nordik...
Po, e vërtetë që nuk kam qenë në atë kohë, pasi debutimin në Kombëtare e bëra në një ndeshje miqësore kundër Turqisë, në prill të vitit 2001, kur fituam 2-0 në Gaziantep, me trajnerin Medin Zhega. Përkoi shumë bukur, pasi ishte ndeshja ime e parë dhe e nisa mbarë. Nga ai moment jam përpjekur të jap më të mirën time dhe besoj se kam lënë gjurmën time me përfaqësuesen. Sa i përket futbollit nordik, e njoh goxha mirë nga eksperienca që kam, kryesisht me klubet dhe mendoj se është një futboll më shumë fizik sesa teknik.
Si e parashikoni ndeshjen e 7 qershorit?
Shumë e fortë nga të dyja skuadrat, pasi norvegjezët pas humbjes që pësuan në fushën e tyre në mars, tani do të vijnë më të mobilizuar në Tiranë dhe shumë herë më të kujdesshëm. Nuk besoj se do vijnë për të bërë këtu atë “skuadrën e madhe”, natyrisht, nisur nga pozitat që kemi ne dhe ata në grupin kualifikues. Unë mendoj se, me pak fat dhe përkushtim, ne mund ta fitojmë atë ndeshje. I kemi të gjitha shanset. Sigurisht, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Jam i bindur se mund të arrijmë një rezultat pozitiv, i cili do të na krijonte një pozicion shumë komod dhe, pse jo, edhe një kualifikim të mundshëm.
Megjithatë, fakt është se edhe ne kemi disa mungesa të rëndësishme…
Po, sigurisht që mungesa e Canës dhe Lilës janë për t’u marrë parasysh, por unë gjykoj se një ndeshje nuk fitohet nga një apo dy lojtarë, por nga gjithë grupi së bashku. Sakaq, jam i bindur se De Biazi e ka menduar dhe do të gjejë zgjedhjen më të mirë për t’i zëvendësuar këta lojtarë.
Meqë jemi te De Biazi, një vlerësim për punën e tij…
Trajneri Xhani De Biazi po bën një punë shumë të mirë. Ai ka meritën e padiskutueshme, sepse ka sjellë në ekip lojtarë cilësorë, të cilët kanë dhënë qetësi që në ndeshjet e tyre debutuese. Pastaj, duhet të jemi koshientë se asnjëherë Kombëtarja nuk ka qenë kaq lart në renditje dhe me shpresa reale për një kualifikim. De Biazi ka meritë gjithashtu për guximin që ka shfaqur në rinovimin e skuadrës, në ndërthurjen e elementit të ri me atë me eksperiencë.
Duhet të rinovojë, sipas jush, pavarësisht rezultateve që mund të marrim në pesë ndeshjet e tjera kualifikuese?
Sipas meje po. Ai e ka fituar kontratën e tij me ndërtimin thuajse nga e para të kësaj skuadre, por natyrisht kjo pastaj mbetet edhe në dëshirë të federatës dhe vetë trajnerit.
Kthehemi sërish te ndeshja me Norvegjinë. Nëse do ju kërkoja një parashikim, cili do të ishte rezultati i Klodian Duros?
Duke marrë shkas edhe nga ndeshja e parë, ku fituan në Oslo me golin e Salihit, mendoj se me qetësi, si dhe me mbështetjen e tifozëve, ne do të dimë të marrim rezultatin të aq shumëkërkuar. Unë do të jem në stadium dhe sigurisht do të thërras “Forca Shqipëria!”. Mendoj se do fitojmë 2-0 me gola sërish të Salihit dhe Bogdanit. Nëse do të ndodhë kështu, atëherë do jetë një hap i madh dhe i sigurt drejt ëndrrës për në Brazil, paçka se do kemi ende katër ndeshje të tjera dhe, më pas, edhe “play off”, gjithnjë nëse zëmë vendin e dytë në grup.
Dakord, por më thoni përse nuk i kemi pasur më përpara këto rezultate sikundër tani? Çfarë ka munguar: lojtarët, organizimi, trajneri…?
Jo, nuk jam dakord me ju. Kemi pasur gjithnjë rezultate të mirë që ngjallnin shpresë për kualifikim, sikundër jemi edhe tani. Por më mirë them unë le të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mos bëhemi euforikë më shumë nga ç’duhet. Unë them se këtë herë është rasti më i mirë për të kaluar ngërçin kuqezi, atë të bërjes së hapit të madh. Kemi qenë disa herë në gjendje që ta fitonim ndeshjen më të rëndësishme të sezonit dhe në mjaft raste kemi dështuar, ose kemi qenë të pafat.
A thua se ka qenë vetëm çështje fati?
Jo, totalisht. E thashë që janë bërë edhe gabime, por uroj që të gjitha këto të shuhen me këtë përballje. Dihet se, që të kesh fatin me vete, duhet që edhe të kesh një ekip të mirë, pasi ne si ballkanas në ndeshje të tilla, të rëndësishme, na rrëmben entuziazmi më shumë nga çfarë duhet.
Sakaq, jeni lojtari i dytë me më shumë ndeshje me ekipin kombëtar, 78 një më pak se Altin Lala. Ndërkohë, para takimit me Norvegjinë federata ka organizuar një ceremoni lamtumire për Lalën dhe Skelën, si është e mundur që nuk jeni edhe ju?
Po të ishte për mua do të preferoja më mirë që të isha në fushën e lojës dhe të jepja kontributin tim për fitoren ndaj Norvegjisë. Besomëni nuk do ju zhgënjeja, paçka se tani e kam lënë futbollin prej disa javësh. Gjithsesi, t’ju them të drejtën, ceremonitë nuk para më pëlqejnë shumë. Megjithatë, për faktin që nuk jam së bashku me dy shokët dhe ish-kolegët e mi, do të ishte më mirë që të pyesni federatën për këtë gjë. Unë di që për ceremoninë e Lalës dhe Skelës kanë vendosur anëtarët e Komitetit Ekzekutiv… ata duhet të pyesni.
Dakord, por ju do kishit dashur të ishit pjesë e kësaj ceremonie?
Nuk më takon mua të bëj këtë vlerësim. Unë besoj se e i kam dhënë shumë fanellës së Kombëtares, ashtu sikundër e kanë bërë edhe Lala e Skela. Sipas meje, që të dy këta janë absolutisht shembuj për t’u ndjekur nga brezat e ardhshëm.
E megjithatë thatë që do të jeni në stadium apo jo?
Absolutisht po, dhe me shpirt e zemër do të jem me lojtarët e Kombëtares në fushë, duke shpresuar në një fitore.
Shumë ish-lojtarë të njohur të Kombëtares kanë zgjedhur të vazhdojnë karrierën e trajnerit ose të menaxherit apo drejtorit teknik. Po Klodian Duro si e shikon të ardhmen e tij të afërt?
Jam larguar nga futbolli i fushës, por do mbetem gjithsesi edhe unë pjesë e futbollit. Kam marrë licencën “UEFA A” të trajnerit. Besoj se kam një përvojë të mirë në futbollin profesionist, si në Shqipëri, por dhe në vendet e tjera ku kam luajtur, përfshirë Turqinë, Gjermaninë, Austrinë dhe Qipron. Kam luajtur kundër disa prej ekipeve më të mira në Europë, përfshirë Bajernin e Mynihut, Borusian e Dortmundit, Mançester Sitit, Fenerbahçes, Rapidit të Vjenës etj. Mendoj se me këtë eksperiencë mund t’i jap ende shumë futbollit shqiptar.
LEONARD KARAJ / LEONIDHA MUSAJ

Te lidhura me artikullin:

_________________

Portali ~ Forumi ~ St@ff ~ Rregulloria Forumit

Keni paqartesi... Me kontakto ne PM
avatar
Geri
Fondatore St@ff Forum
Fondatore St@ff Forum

<b>Postime</b> Postime : 19697
 <b>Piket</b> Piket : 23781
Regjistruar : 21/04/2009
 <b>Mosha</b> Mosha : 29
 <b>Vendbanimi</b> Vendbanimi : Ne qytetin e dashur Tirone

http://www.facebook.com/profile.php?id=100000780195284#!/pages/M

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi